Në muajt shkurt-prill, 2017, në disa qytete të ndryshme të Shqipërisë, Italisë dhe Maqedonisë u organizuan konkurse krijuese në letërsi dhe në pikturë.
Në këto konkurse morën pjesë mijëra nxënës, të shkollave nëntëvjeçare, në të gjithë Shqiperinë (rreth 110 shkolla, nga Veriu në Jug), falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve.
Për muaj me radhë, fëmijët u bënë protagonistë të krijimit artistik me ese dhe vizatime, duke treguar se duhet vetëm pak për të nxitur kreativitetin e tyre artistik… Ata sollën krijime interesante, të mrekullueshme dhe shpesh të papritura, për bukurinë, gjerësinë e mendimit dhe emocionet që përcjellin. Temat e dhëna kishin në fokus dashurinë per librin. Nxënësit u ftuan të shkruajnë një ese, tregim, vjershë… vizatim a ilustrim libri rreth këtyre tri temave: I DASHUR AUTOR, ÇFARË ËSHTË ANA FRANKU PËR MUA! dhe JAM EUROPIAN NË SHQIPËRI DHE SHQIPTAR NË EUROPË: SFIDË APO TENDENCË?
Krijimet kaluan në disa faza seleksionimi: së pari, nga mësuesit e letërsisë dhe më pas nga një juri profesionistësh, e drejtuar nga z. Pandeli Koci, kryetar, dhe e përbërë nga znj. Erida Koleci, znj. Adriatike Lami, znj. Lindita Isufi dhe z. Klement Zoraqi, anëtarë, që nuk e patën të lehtë vlerësimin, për shkak të numrit të madh të krijimeve, por edhe cilësisë së lartë të disave prej tyre.
Pas disa mbledhjeve dhe diskutimeve të gjalla, juria vendosi të japë një çmim të parë, dy çmime të dyta dhe tri çmime të treta. Nuk mund të mos vlerësonim krijime që përndryshe mund të kalonin, pa u përmendur. Në gjininë e vizatimit, ilustrimit, u dhanë tri çmime.
Shumë herë pyesim, lexojmë ose shkruajmë për të sjellë argumente pse femijët duhen të lexojnë. Duke i shkruar Rowlingut, shkrimtares së Harry Potterit, një nxënëse e Gjimnazit “Raqi Qirinxhi” në Korçë, na jep të gjithëve një përgjigje të bukur…
“….Faleminderit që nuk më lejuat të humbas shpresën. Faleminderit që më dhatë mundësinë të jem fëmijë me zemër. Faleminderit që më frymëzuat. E së fundi, faleminderit që e mbajtët magjinë gjallë. Ju keni provuar se dashuria me të vërtetë triumfon mbi gjithçka dhe se e mira e mposht të keqen. Ju i dhatë vetëbesimin fëmijëve që ndihen të përjashtuar nga shoqëria të jenë vetvetja. Ju keni ngjallur imagjinatën si tek fëmijët, ashtu edhe tek të rriturit.
Faleminderit që më ndihmuat të jem… unë. “Lumturia mund të gjendet edhe në kohët më të errëta, në qoftë se thjesht kujtohesh të ndezësh dritën.”
Me dashurinë dhe sinqeritetin më të thellë, Gloria Tërpini.
P.S: Ende nuk e kam marrë veten pas vdekjes së Siriusit…”
Në një ilustrim të bukur, për temën “Jam europian në Shqipëri dhe shqiptar në Europë: Sfidë apo tendencë?” nxënësi Leonard Prendi, nga shkolla Rogacionistet, Lezhë, shkruan se: “Me sytë nga Europa, dhe me duart kryq, nuk e arrijmë kurrë synimin tonë”. Ide e bukur, apo jo?