Fjala mbyllëse e z. Petrit Ymeri për Ekspozitën e ilustrimit

Sot u mbyll Ekspozita e Ilustrimeve, që qëndroi e hapur për një javë në Muzeun Historik Kombëtar. Kjo Ekspozitë, e organizuar nga Sh. B. DITURIA, ishte pjesë e projektit europian “Lexuesit e së Ardhmes”, dhe kishte si qëllim njohjen e rrugës dhe gjendjes së ilustrimit në Shqipëri. Pra tradita, e sotmja dhe perspektiva. Sigurisht në radhë në raportin e librit dhe ilustrimit. Nga dita e parë e çeljes 2 prill e deri sot më 8 prill, ajo u vizitua nga qindra e qindra dashamirës të moshave e profesioneve të ndryshme, sigurisht shumica profesionistë të pikturës e ilustrimit dhe të librit. Por, për gëzimin tonë, kishte shumë të rinj e nxënës, prindër e mësues. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, piktori i shquar Gazmend Leka, midis të tjerash tha: “Ekspozita që çelim sot, nuk është një ekspozitë e zakonshme. Ajo ështe një ekspozitë e jashtëzakonshme, e cila nuk do të tretet kollaj në memorjen tonë të mbingarkuar nga një mori aktivitetesh artistike”. Këtë mesazh atë ditë e konsiderova vlerësim e mbështetje edhe miqësore, por duke parë interesimin dhe vëmendjen në rritje nga dita në ditë, opinionet profesionale, diskutimet dhe rrahjet e mendimeve gjatë ditëve, e besova plotësisht që Ekspozita ishte e tillë: e jashtëzakonshme. Në këto ditë mundëm të organizojmë më së miri, një ekspozitë që përfaqësonte ilustrimin si element shumë të rëndësishëm të letërsisë dhe të librit. Paraqitëm ndër emrat më të njohur të ilustrimit shqiptar ndër dekada, bëmë seminare e biseda profesionale me këtë temë dhe arritëm të tërheqim vëmendjen e gjerë të publikut! Dua të falenderoj veçanërisht nxënësit e mësuesit e Liceut Artistik Tiranë, dhe shkollave artistike të Shkodrës, Durrësit e Fierit, të shkollave “1 Maji” dhe “Vatra e Dijes” në Tiranë, studentët e Universitetit Polis, të gazetarisë në UT, dhe dhjetëra nxënës e studentë që e mbushën sallën e ekspozitës çdo ditë dhe duke zhvilluar aty orë mësimi mbi ilustrimin. Jemi shumë të kënaqur që DITURIA arriti të organizojë një veprimtari të parë të këtij lloji dhe me një cilësi shumë të mirë, vërtet profesionale. Shumë punë të tjera na presin, shumë libra të bukur do u japim lexuesve tanë. Jemi shumë të interesuar dhe të vëmendshëm sigurisht për Lexuesit e së Ardhmes!

#Readersofthefuture #CreativeEurope

No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.