Aktivitetet

Konferenca e prezantimit të projektit

Zakonet e të lexuarit te fëmijët dhe lexuesit e rinj

Për dy muaj me radhë, tetor-dhjetor 2016, një staf i veçantë punonjësish, studentësh dhe vullnetarësh, të drejtuar nga Sh. B. DITURIA shpërndau në shkollat e qyteteve të Shqipërisë, si: Tiranë (shkollat “Fan Noli” dhe Instituti Arsimor Wilson), Vlorë (shkolla “Ismail Qemali”), Lezhë (shkolla Rogacionistët), si dhe në shkollat e disa fshatrave të rrethit të Kavajës (Synej) dhe të Peqinit (Bishqem), 1 300 pyetësorë, të hartuar nga ekspertë, operatorë kulturorë dhe psikologë.

Dy modelet e pyetësorëve (njëri për kl.1-5 dhe tjetri për kl.6-9) u plotësuan nga rreth 1 000 nxënës (target grup: 6-15 vjeç), dhe u shpërndanë në formë elektronike te më tepër se 300 të rinj.

Ky anketim, të dhënat e të cilit ishin në themel të një vëzhgimi dhe analize, hartuar nga specialistja e letërsisë dhe pedagogia e Universitetit të Tiranës, prof. Lili Sula dhe shkrimtarja e përkthyesja me përvojë, Diana Çuli, pati disa objektiva dhe arriti në përfundime dhe rekomandime me vlerë për shkollën, politikbërësit dhe gjithë shoqërinë.

Pyetësor për leximin për ciklin e ulët 9-vjeçar

Unë jam Rubeni, 9 vjeç. Po lexoj librin “Harry Potter dhe Guri Filozofal”. Mua më pëlqen shumë të lexoj.  Tani sapo iu përgjigja disa pyetjeve për leximin.

oyquwz4ywp6cqwpevvrc

Pyetësor për leximin për ciklin e lartë 9-vjeçar

Fëmijëve zakonisht u pëlqen të lexojnë. Disa lexojnë thjesht se historitë e librave i zbavisin, disa sepse kanë një bibliotekë të pasur në shtëpi …

follohpxiuymf9urowqb

Në muajt shkurt-prill, 2017, në  disa qytete të ndryshme të Shqipërisë, Italisë dhe Maqedonisë u organizuan konkurse krijuese në letërsi dhe në pikturë.

Në këto konkurse morën pjesë mijëra nxënës, të shkollave nëntëvjeçare, në të gjithë Shqiperinë (rreth 110 shkolla, nga Veriu në Jug), falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve.

Për muaj me radhë, fëmijët u bënë protagonistë të krijimit artistik me ese dhe vizatime, duke treguar se duhet vetëm pak për të nxitur kreativitetin e tyre artistik…

Në Tiranë, në dt. 26 prill 2017, u zhvillua një seminar ndërkombëtar, ku morën pjesë botues, ekspertë europianë (nga Italia, Portugalia, Greqia, Kroacia), përfaqësues të institucioneve publike dhe private, specialistë të kulturës dhe arsimit, mësues, librarë, lexues, gazetarë etj. Seminari ishte një mundësi shumë e mirë për shkëmbimin e përvojave dhe përmirësimin e bashkëpunimit profesional mes kolegëve, por edhe për aftësimin më të mirë të operatorëve të librit. Ndër shumë çështje të tjera, në këtë seminar u diskutuan, u analizuan dhe u ballafaquan rezultatet e anketimeve për leximin në të tri vendet, Shqipëri, Maqedoni dhe Itali.

Në datat 16-18 mars 2018, në Muzeun Historik Kombëtar u organizua Festivali multikulturor për librin dhe leximin, me temë: “Të gjithë librat janë të rëndësishëm”, një ngjarje shumë e rëndësishme, e para në llojin e vet për fokusin e saj, drejtuar femijeve, per shumësinë e dimensioneve (letersi, pikture, aktrim, diskutime, etj.) por edhe pjesemarrjen e gjere, që pati si protagonistë fëmijë e të rinj si dhe me shume se 100 operatorë kulturore që punojnë për botimet për fëmijë: shkrimtarë e ilustrues shqiptarë e të huaj, përkthyes, librarë, botues, piktorë, mësues, specialistë të kulturës etj.

Pjesë e këtij projekti ishte botimi i tri vëllimeve në tri gjuhë (shqip, maqedonisht, italisht): një (e-book) me krijimet e fituesve të konkursit letrar dhe vizatimor “Lexuesit e vegjël” organizuar ne muajt shkurt prill 2017 në të tri vendet, me titull: “Me librat në zemër”; një (libër dhe e-book) me tregime nga autorë nga tri vendet partnere, me titull: “Lexime për fëmijë dhe të rinj Tregime nga autorë shqiptarë, maqedonas dhe italianë”; dhe një (libër dhe e-book), me përralla nga nga autorë nga tri vendet partnere, me titull: “Lexime për fëmijë dhe të rinj Përralla nga autorë shqiptarë, maqedonas dhe italianë”.

Punimet (skica, ilustrime etj.) e piktorëve ilustrues të librave për fëmijëve nga të tria vendet u bënë pjesë e një ekspozite shëtitëse të përbashkët, në Tiranë, Napoli dhe Tetovë. Ekspozita e ilustrimit në Tiranë u organizua në Muzeun Kombëtar, më 2-8 prill 2018. Për shtatë ditë me radhë, publiku shqiptar pati mundësi të vizitojë këtë ekspozitë që synonte të promovonte  ilustrimin dhe piktorët e veprave për fëmijë.

Në bashkëpunim me MultiMediaStudio “NOSITI”, shtëpi e prodhimit të filmit me përvojë disavjeçare, u prodhua një film dokumentar rreth qasjes së fëmijeve ndaj librit, pa dallime shoqërore, gjinore apo racore dhe promovimit më të mirë të letërsisë për fëmijë. Filmi dokumentar është transmetuar në TV dhe gjendet në YouTube, rrjetet sociale dhe faqen zyrtare të projektit, me titullin “Lexuesit e se ardhmes”. Filmi percjell mesazhe promovimi per librin dhe lexuesin e tij.

Në Tiranë, në dt. 11 qershor 2018, u zhvillua Konferenca përmbyllëse e Projektit “Lexuesit e së ardhmes”, me pjesëmarrjen e partnerëve maqedonas dhe italianë, botuesve, librarëve, gazetarëve, operatorëve kulturorë e arsimorë, gazetarëve, përfaqësuesve të institucioneve arsimore dhe kulturore etj. Në punimet e kësaj konference që patën jehonë të gjerë në shtyp, u diskutuan disa nga përfundimet e projektit “Lexuesit e së ardhmes”. Folësit dhe diskutuesit e shumtë, pas përgëzimeve për organizatoret e këtij projekti, u shprehën për nevojën e hartimit të programeve për promovimin e  leximit për fëmijët që në moshë të njomë, si një investim për të ardhmen; shembulli i këtij projekti duhet të na nxisë që të bëjmë të njëjtën gjë për të hartuar politikat më të mira për t’i afruar fëmijet me librat dhe për t’u injektuar atyre dashurinë për leximin.